CleanScore në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës

Në kuadër të planit për zbatimin e “CleanScore” në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës, në datën 19 Qershor 2019 është zhvilluar një takim me Zv. Dekanin e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. As. Dr. Ermal Baze. Gjatë këtij takimi u shpjegua në mënyrë të hollësishme projekti dhe plani për implementimin në këtë fakultet. Z. Baze shprehu gatishmërinë e tij për të zbatuar projektin duke hapur rrugën e bashkëpunimit të mëtejshëm të “CleanScore” me stafin pedagogjik të këtij fakulteti.
Në vazhdim të takimeve në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në datën 25 Qershor 2019 u zhvillua një prezantim i projektit me Departamentin e Gjeografisë. Në takim ishin prezent stafi pedagogjik dhe administrativ i këtij departamenti. Gjatë këtij takimi u shpjeguan në mënyrë të hollësishme detajet teknike të procesit të korrigjimit si dhe avantazhet që sjell përdorimi i “CleanScore”. Përgjegjësi i Departamentit, Prof. Dr. Romeo Hanxhari vlerësoi maksimalisht këtë iniciativë të AADF-së dhe shprehu angazhimin se të paktën 30% e provimeve në Departamentin e Gjeografisë do të korrigjoheshin me “CleanScore” në vitin akademik 2019-2020.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, për herë të parë në këtë fakultet dy provime u korrigjuan nëpërmjet “CleanScore”: Metodika e Gjeografisë me Prof. Dr. Romeo Hanxhari-n dhe “Historia e Feve Botërore” me Prof. Dr. Ilira Sulo. Rezultatet e provimeve u dërguan në kohë rekord së bashku me raportet statistikorë që tregojnë performancën e studentëve. Të dy pedagogët u shprehën pozitivisht për përdorimin e “CleanScore” dhe konfirmuan përdorimin e teknologjisë edhe në vazhdimësi.

Zbatimi i “CleanScore” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë do të vazhdoje më tej duke mundësuar korrigjimin e sa më shumë provimeve. Në agjendën e takimeve me stafin pedagogjik të fakulteteve janë caktuar për vitin e ri akademik 2019-2020 takime me departamentet e tjera të këtij fakulteti duke mundësuar një shtrirje të plotë dhe mundësi përdorimi për të gjithë pedagogët.