Rreth CleanScore – Ky projekt financohet dhe zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim mbështetur në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Marrëveshjet me universitetet partnere. CleanScore ka për qëllim të zbatojë në universitete korrigjimin e automatizuar të provimeve, duke rritur ndjeshëm transparencën në vlerësimin e studentëve. Projekti gjithashtu do të mbështesë edhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar tekstet akademike me versione ndërkombëtare të përkthyera dhe botuara në shqip.


Cilësia e mësimdhënies është përmendur shpesh si një fushë problematike në Shqipëri, aq më tepër në vitet e fundit, me rritjen e numrit të universiteteve. Çështja është sistematike dhe e vështirë për të arritur me anë të reformave. Dy nga faktorët që kontribuojnë në këtë problem janë mungesa e transparencës në vlerësimin e punës të studentëve, dhe cilësia e ulët e moduleve / teksteve për mësimdhënien. CleanScore i trajton të dy këto probleme. CleanScore duke krijuar zyrat e korrigjimit të automatizuar të provimeve ndihmon në rrijten e transparencës në vlerësimin e studentëve, si dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar tekstet e tanishme lokale me versionet ndërkombëtare të adaptuar në gjuhën shqipe. Në Prill, 2018 është publikuar dhe vënë në dispozicion të studentëve libri “Sipërmarrja”. Në fillim të vitit të ri akademik 2019-2020, do të publikohen edhe 3 libra të rinj: Kontabiliteti Financiar, Biznesi Ndërkombëtar dhe Financat Personale.

Projekti ka filluar zbatimin e tij në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Universitetin e Tiranës (Fakulteti Ekonomisë) dhe Universitetin Europian të Tiranës në Qershor 2016. Në vitin 2017 pjesë e projektit u bë edhe Kolegji Universitar Luarasi dhe Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 2018 Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës nënshkroi me AADF marrëveshjen e bashkëpunimit. Në vitin 2019 projektit iu bashkua dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës si dhe disa fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës si Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.  Deri në fund të vitit 2024, CleanScore ka për qëllim të shtrihet në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.