Më datë 23 Qershor 2020, në ambientet e zyrave të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Bashkë-Drejtorët Ekzekutivë të AADF-së, Z. Aleksandër Sarapuli dhe Z. Martin Mata, nënshkruan me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Arben Gjata, Marrëveshjen për zbatimin e Projektit “CleanScore” për vitet 2020 – 2024. Projekti do të zbatojë në UMT korrigjimin e automatizuar të provimeve, duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe cilësisë në vlerësimin e studentëve.
Gjatë fazës së pilotimit 2016–2018 projekti ka korrigjuar mbi 33.000 teste në 166 testime të mbi 70 pedagogëve të IAL-ve të ndryshme. Në vitin 2020, CleanScore ka korrigjuar në total 71,000 teste në rreth 220 provime, me përfshirjen e mbi 190 pedagogëve të IAL-ve të ndryshme.
Projekti zbatohet prej 3 vitesh në institucione publike dhe jo-publike të arsimit të lartë ku UMT është i pari IAL i llojit të tij, duke prirë IAL-të e tjera që do të bëhen pjesë në vitet në vijim. Nënshkruesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën bindjen se së bashku mund të arrijnë më shumë rezultate të suksesshme.