Projekti CleanScore i mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për zhvillim do të zbatohet në UAMD deri në vitin 2024 me synim rritjen e transparencës nëpërmjet korrigjimit të automatizuar te testimeve, si edhe ofrimin e teksteve akademikë ndërkombëtarë në shqip në fushat e ekonomisë dhe edukimit. Në kuadër të promovimit të “CleanScore”, gjatë muajit Qershor 2019 janë realizuar një sërë takimesh me Drejtues të Fakulteteve të ndryshme si, Prof. Marisa Kerbizi (Fakulteti i Edukimit), Prof. Llambi Prendi (Fakulteti i Ekonomisë), Prof. Drakuli Lumi (Fakulteti i Studimeve Profesionale).
Gjithashtu janë zhvilluar takime me grupe pedagogësh në fakultete të ndryshme si, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit si dhe Fakulteti i Studimeve Profesionale. Qëllimi i këtyre takimeve ishte informimi i stafit akademik mbi CleanScore dhe avantazhet që ky projekt sjell jo vetëm për Universitetin “Aleksandër Moisiu”, por për të gjithë institucionet publike të arsimit të lartë në Shqipëri. Gjatë takimeve, nga ana e stafit të këtij projekti është vënë theksi në transparencën, saktësinë dhe shpejtësinë që sjell korrigjimi i automatizuar i provimeve me alternativa. Njëkohësisht është prezantuar edhe libri “Sipërmarrja”, i përkthyer në shqip, që është tashmë në dispozicion të profesorëve dhe studentëve dhe të fillojë përdorimin në vitin akademik 2019-2020.
Për të dytin vit radhazi, në bashkëpunim me Rektoratin e UAMD, stafi i CleanScore realizoi përpunimin e pyetësorëve për vlerësimin nga studentët për mbi 420 pedagogët e universitetit. Procesi i gjenerimit të rezultateve ishte mjaft i shpejtë, ku brenda 1 jave, universitetit ju dorëzuan të gjitha rezultatet për secilin pedagog. Kjo praktikë do vazhdojë të përdoret dhe përmirësohet në vitet në vijim në UAMD.
Nga ana e stafit akademik drejtues të fakulteteve përpos mbështetjes së zbatimit të këtij projekti nëpërmjet takimeve dhe ditëve të hapura që do të realizohen në të ardhmen, u dakordësua se projekte të tilla zhvillimore janë mjaft efektive në përmirësimin e cilësisë akademike në Shqipëri.