Universiteti Bujqësor i Tiranës iu bashkua grupit të universiteteve që zbatojnë projektin CleanScore në Prill të vitit 2019, me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, gjatë muajve Qershor dhe Korrik, stafi i projektit ka zhvilluar takime me dekanët e disa fakulteteve si, Z. Fatbardh Sallaku (Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit), Znj. Renata Kongoli (Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit), Znj. Doklea Quku (Fakulteti i Shkencave Pyjore), Z. Paskal Gjino (Fakulteti i Mjekësisë Veterinare). Gjatë kësaj periudhe janë realizuar takime informuese edhe me të gjithë shefat e departamenteve në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit. Në ketë fakultet janë realizuar gjithashtu takime me stafin akademik të grupeve mësimore kërkimore. Kryefjala e takimeve dhe prezantimeve ishte kryesisht teknologjia e CleanScore ku u shpjegua në detaje i gjithë procesi i korrigjimit të automatizuar të provimeve. Rëndësi të veçantë nëpër takime ju dha edhe komponentit të përkthimit të librave, me fokus në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, në të cilin pedagoget u shprehen pozitivisht për përdorimin e tyre në vitin akademik 2019-2020.
Në 12 Korrik 2019, stafi i CleanScore zhvilloi një mbledhje me Departamentin e Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, ku u shpjegua në mënyrë të detajuar projekti dhe përfitimet që sjell zbatimi i tij në universitete. Stafi pedagogjik i këtij departamenti shprehu angazhimin e tij për përdorimin e CleanScore në vazhdimësi.
Zbatimi i projektit filloi për herë të parë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, në lëndën “Menaxhim Pesticidesh, Përdorimi i tyre dhe Marketimi”, ku dhe përshtypjet ishin mjaft pozitive.
Në sajë të takimeve të shumta të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, në sezonin e ardhshëm do të fillojë zbatimi në masë i projektit në UBT.