Në kuadër të zgjerimit të projektit CleanScore, më datë 28 Janar 2020, në ambientet e rektoratit te Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, u nënshkrua Marrëveshja për zbatimin e Projektit “CleanScore” për vitet 2020 – 2024 nga rektori Prof. Dr. Ali Jashari. Projekti do të zbatojë në Universitetin e Korçës korrigjimin e automatizuar të provimeve, duke ndihmuar në rritjen e transparencës dhe cilësisë në vlerësimin e studentëve. Gjatë fazës së pilotimit 2016 – 2018 dhe në vitin e parë të zgjerimit (2019) projekti ka korrigjuar mbi 55.000 teste në 220 testime të mbi 125 pedagogëve të ndryshëm. Një tjetër zhvillim është dhe përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet mundësimit të disa botimeve prestigjioze ndërkombëtare që do të përkthehen në shqip. Tashmë janë botuar 4 tekste ndërkombëtare në fushën e ekonomisë: “Sipërmarrja”, “Financat Personale, “Biznesi Ndërkombëtar” dhe “Kontabiliteti Financiar”. Si pjesë e projektit do të vijojë shqipërimi i 10 teksteve të tjera akademike të fushës së ekonomisë dhe mësuesisë. Tekstet e publikuara janë aktualisht në dispozicion të studentëve duke garantuar një literaturë cilësore dhe bashkëkohore. Nënshkruesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën bindjen se së bashku mund të arrijnë më shumë rezultate të suksesshme. Gjithashtu në kuadër të zgjerimit të projektit, janë zhvilluar takime dhe janë në fazë diskutimesh për nenshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit; Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Mjekësisë (Tiranë), Universiteti Politeknik i Tiranës si dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.