Më datë 19 Prill, në ambjentet e Kolegjit Universitar Luarasi, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) i përfaqësuar nga Bashkë-Drejtoret Ekzekutive Z. Aleksandër Sarapuli dhe Z. Martin Mata dhe Kolegji Universitar Luarasi i përfaqësuar nga Rektori i Universitetit Z. Arben Malaj, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për zbatimin e Projektit CleanScore.
Ky projekt ka për qëllim të prezantojë mundësi për korrigjimin e automatizuar të provimeve, që ndihmon në rritjen e transparencës në vlerësimin e studentëve; si dhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar librat aktual me versione ndërkombëtare.
Projekti i financuar nga AADF me vlerë $400,000 u pilotua në një universitet publik dhe një privat, por duke u zgjeruar dhe më tej në universitete të tjera të interesuara për të aplikuar sistemin CleanScore. Aktualisht CleanScore është implementuar në Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tiranës dhe në Universitetin Europian të Tiranës, ku janë testuar nëpërmjet CleanScore mbi 3500 studentë në 20 lëndë të ndryshme. AADF ka filluar dhe përkthimin në shqip të tre librave ndërkombëtarë të fushës së ekonomisë të cilat do të jenë në të ardhmen në dispozicion të studenteve duke garantuar tekste cilësore dhe bashkëkohore. Ndërsa në Qershor do të fillojë implementimi i këtij projekti në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.