Në datën 25 shtator 2020, në mjediset e amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u zhvillua një takim me qëllim prezantimin e projektit “CleanScore” për stafin akademik të departamentit të gjuhëve të huaja. Pjesëmarrës në takim ishin pedagogët dhe përgjegjësja e departamentit, dr. Daniela Stoica, si dhe koordinatorja e projektit, znj. Holta Bimbli, e cila u shpreh se takimet prezantuese me projektin do të vijojnë në të gjithë fakultetet e Universitetit. Bashkëpunimi midis Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe UNIKO filloi në janar të vitit 2020 në kuadër të nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi, ku “CleanScore” do të zhvillojë korrigjimin e automatizuar të provimeve. Ky projekt ka për qëllim të mbështesë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Krahas korrigjimit të automatizuar të provimeve, “CleanScore” do të mundësojë edhe tekste akademike ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe të edukimit të përkthyera dhe të botuara në shqip.