Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Rektorati i Universitetit të Tiranës si dhe Universiteti Europian i Tiranës, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi duke shënuar kështu fillimin e projektit CleanScore. CleanScore ka për qëllim të prezantojë mundësi për korrigjimin e automatizuar të provimeve, që ndihmon në rritjen e transparencës në vlerësimin e studentëve; si dhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar librat aktual me versione ndërkombëtare. Projekti i financuar nga AADF me vlerë $400,000, do të zgjasë 2.5 vjet dhe do të pilotohet në një universitet publik dhe një privat. Gjatë implementimit të projektit, do të mundësohet përkthimi dhe përshtatja për kontekstin shqiptar i 10 librave të standardeve ndërkombëtare; testimi nëpërmjet bankave të pyetjeve elektronike për 15 lëndë në dy universitetet, publike dhe private, si dhe përdorimi i teknologjisë CleanScore për vlerësimin e provimit të studentëve dhe të paktën 2,000 studentë do të marrin pjesë në korrigjimin e automatizuar të provimit.